Kriza ekonomike po e çon Libanin në një kaos total. Këtë të enjte, protestuesit i vunë zjarrin të paktën 6 degëve të bankave në Bejrut, pasi janë përballur me kufizime në tërheqjen e parave të tyre të depozituara në banka.

Në anën tjetër, këtë të enjte, lira libaneze humbi 98 përqind të vlerës së saj që nga nisja e krizës ekonomike që shpërtheu në vend në vitin 2019. Zjarrfikëse dhe forca të shumta sigurie u dërguan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bën të mundur shpërndarjen e protestuesve.

Incidente janë raportuar edhe disa javë më parë, kur një grua e armatosur u fut në degën e një banke në Bejrut dhe pasi mori peng stafin dhe personat e pranishëm, kërkoi që të merrte patjetër kursimet e saj, të bllokuara në bankë. Më herët, një burrë mori peng për disa orë punonjësit dhe klientët në një bankë, pasi iu refuzua që ai të tërhiqte kursimet e tij prej rreth 200 mijë dollarësh.

Mes krizës ekonomike, të nisur tre vjet më parë, Banka Federale e Libanit ka vendosur kufizime në sasinë e parave që klientët e saj mund të tërheqin nga kursimet e tyre. Por shumë qytetarë janë rebeluar kundër këtij vendimi dhe po përpiqen ta zgjidhin me vetëgjyqësi problemin.