Gjergji Hani ishte 16 vjeç kur u burgos për herë të parë nga regjimi komunist. Krimi i tij më i madh ishte fjala, e shprehura kundër diktaturës, dëshira për t’u arratisur nga vendi si dhe historiku i familjes së tij.

Të gjithë rininë do ta kalonte pas hekurave në burgun e Qafë Barit, i akuzuar për tradhti ndaj atdheut. “Jam dënuar dy herë, e dija shumë mirë se çfarë më priste. Kam kaluar 5 vite në burg dhe jam liruar 1 javë para zgjedhjeve të para pluralistë në Shqipëri”.

Fëmijët e burgosur keqtrajtoheshin, torturoheshin, e madje punonin njësoj si të rriturit.

“Fëmijët pas telave” tregon vështirësitë për mbledhjen e dokumenteve dhe dosjeve që vërtetojnë krimet e komunizmit edhe ndaj fëmijëve”, u shpreh Brisejda Lala, studiuesja dhe kuratorja e ekspozitës.

Politika e sotme nuk duket shumë mbështetëse ndaj studiuesve të Institutit për Krimet e Komunizmit, për të thelluar më tepër kërkimet e tyre.

Edhe pse prej vitesh ka një punë kërkimore të madhe, ende sot nuk ka një numër zyrtar të fëmijëve të burgosur në kohën e komunizmit.