Dy zyrtarë të lartë të transportit në Spanjë kanë dhënë dorëheqjen pas dështimit të disa trenave të porositur prej tyre, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 260 milionë eurosh. Trenat në fjalë nuk mund të kalonin përmes tuneleve standarde në dy krahina në veri të vendit, Asturia dhe Cantabria.

Shefi i operatorit hekurudhor spanjoll, Renfe, Isaias Taboas, dhe sekretarja e shtetit për transportin, Isabel Pardo de Vera, kanë lënë detyrat e tyre për shkak të këtij gabimi. Qeveria spanjolle tha se problemi ishte pikasur në kohë për të shmangur humbje të tjera parash. Sidoqoftë, krahina e Cantabrias ka kërkuar dëmshpërblim.

Renfe porositi trenat në vitin 2020, por një vit më pas, kompania prodhuese, CAF, kuptoi se përmasat që i ishin dhënë ishin të pasakta dhe ndërpreu punimet.

Rrjeti hekurudhor në veri të Spanjës është ndërtuar në shekullin XIX dhe tunelet në terrenin malor nuk kanë përmasat standarde të kohës së sotme. Si pasojë e këtij gabimi, trenat do të dorëzohen në vitin 2026, dy vite më vonë se afati paraprak i vendosur.