Qyteti kyç i Bakhmut, për të cilin po luftohet ashpër prej disa muajsh në lindje të Ukrainës, është rrethuar nga forcat ruse. Këtë e tha themeluesi i grupit mercenar rus, Wagner, Evgeny Prigozhin, i cili përmes një video mesazhi i kërkoi Presidentit Zelensky të evakuojë të moshuarit dhe fëmijët.

Sipas Ria Novosti, kreu i Wagner-it fton autoritetet në Ukrainë t’u japin mundësinë trupave ukrainase të largohen nga qyteti. Në Bakhmut, prej javësh po zhvillohet një betejë e përgjakshme, praktikisht, shtëpi më shtëpi.

Gjatë natës ushtria ruse hodhi në erë një urë kyçe që lidhte qytetin e Bakhmut me fshatin e afërt të Khromove, rruga e fundit dhe kryesore e furnizimeve përmes qytetit të Chasiv Jar.

Sirenat e alarmit u dëgjuan në të gjithë Ukrainën, një ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi si akt terrorist, sulmin me armë zjarri në rajonin rus të Bryansk, ku sipas Moskës një grup sabotuesish ukrainas kishin vrarë 2 persona e kishin plagosur një fëmijë.