Vladlen Tatarsky, emri i vërtetë i të cilit është Maxim Fomin, një mbështetës i flaktë i Vladimir Putin, mbeti i vrarë në një atentat në Shën Petersburgu të dielën, ndërsa 32 të tjerë mbetën të plagosur. Ai mori dhuratë një statujë të tijën, teksa brenda saj ndodheshin rreth 200 gramë tritol, të cilat i morën jetën.

Policia ruse, vetëm pak orë pas ngjarjes së rëndë, arriti të vërë në pranga Daria Trepova, 26 vjeçe, e cila dyshohet të jetë autore e këtij sulmi. Ajo u arrestua në një aeroport në qytetin rus. Pas arrestimit, ajo është shprehur se nuk kishte asnjë ide se çfarë përmbante dhurata e saj dhe se ishte përdorur për të kryer këtë sulm. Megjithatë, hetuesit rusë, pa dhënë detaje, janë shprehur se Trepova e ka kryer sulmin me ndihmën e “shërbimeve speciale ukrainase” dhe të aktivistëve që janë të lidhur me liderin e burgosur të opozitës Alexei Navalny.

Ndërkohë, në internet janë shpërndarë pamje të momentit kur autorja futet në lokal bashkë me dhuratën bombë, si edhe momentin kur ia dorëzon atë Vladlen Tatarsky.

Të paktën 100 persona isha në lokal kur ndodhi shpërthimi, 32 nga të cilët mbetën të plagosur, katër janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Vladlen Tatarsky ishte një mbështetës i luftës në Ukrainë dhe shpesh bënte thirrje për shkatërrim.