Të punosh një jetë për të mos marrë në fund atë që meriton. Fat të njëjtë me shumë shqiptarë që enden në kërkim të viteve të punës pati edhe Artani. Sot ai merr vetëm gjysmë pensioni, ndaj i duhet që pjesën e parave të munguara ta sigurojë duke punuar.

Aktualisht, Artani duhet që megjithëse në pension, të paguajë kontributet si të ishte një i punësuar normal. Një propozim i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, synon të lehtësojë mesatarisht me 9 mijë e 500 lekë rreth 1 mijë e 500 të moshuar në vend.

Për eksperten e ekonomisë, Romina Radonshiqi, bazuar edhe në rekomandimet e Bankës Botërore, duhen ndërmarrë më shumë politika në drejtim të përkrahjes së të moshuarve: “Duhet vërtetë të ketë edhe politika të tjera. Ata rrisin nivelin e varfërisë pasi janë jashtë forcës punëtore”.

Projektligji i hedhur për konsultim publik sugjeron ndryshime për të punësuarit në fushën e teknologjisë së informacionit, pjesë e Parqeve Teknologjike. Gjithashtu, propozimi i financave arashikon gjithashtu edhe zgjidhje të problemit të rikthimit në fondin e sigurimeve shoqërore të shumës së kësteve të pensioneve që janë gjeneruar dhe kaluar padrejtësisht në llogarinë bankare të të moshuarit.