Është zhvilluar, këtë të enjte, ceremonia e dhënies së gradave ushtarake për sportistët elitarë të Shqipërisë dhe Kosovës, ku të pranishëm kanë qenë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe kryeministri Rama.

Ministri Peleshi u shpreh se nga sot elita e sportistëve shqiptarë pjesë e FA, përfitojnë pagën e kolonelit deri në daljen në pension.

Ndërkohë, kryeministri Rama pranoi se sportistët shqiptarë janë larguar edhe për një palestër që ka munguar. Ai theksoi se ka hequr nga supet një barrë të trashëguar nga qeveritë shqiptare.

“Sot, unë jam i lehtësuar që kam hequr këtë barrë nga kurrizi, që e kishim trashëguar nga e shkuara. Nuk e ulim kokën nga turpi për keqtrajtimin dhe harresën ndaj tyre. Na ka ndodhur në të shkuarën që djem të përkushtuar kanë ngritur flamuj të tjerë, sepse shteti nuk i jepte mundësi për të ngritur flamurin tonë kombëtar. E bënë këtë për një palestër, për një trajtim ushqimor dinjitoz, për një trajner të motivuar, për përfaqësim. Në pamundësi për këto, përfaqësuan forcën e talentit dhe pasionit të tyre. Kjo është një histori turpi e shtetit shqiptar që i përket së shkuarës”, tha Rama.