Burime konfidenciale për A2CNN bëjnë me dije se prej ditësh kanë humbur gjurmët me familjarët shtetasit Leonard Thodhori, 46 vjeç, banues në fshatin Çukë, Sarandë dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, banues në Sarandë.

Policia e Sarandës prej orësh po kryen këqyrje kamerash sigurie, kontrolle të ndryshme. Ende nuk ka një pistë hetimi lidhur me zhdukjen e dy personave. Edhe familjarët janë vënë në kërkim të tyre.

1. Leonard Thodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa herë. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.

I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshire në trafik lëndësh narkotike.

2. Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar në prill 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

“Sarandë: Në Komisariatin e Policisë Sarandë, është kallëzuar nga shtetasi G. P., 53 vjeç, banues në Fier, se ka humbur kontaktet me vëllanë e tij, shtetasin F. S., 45 vjeç, banues në Sarandë. Gjithashtu është kallëzuar nga shtetasja E. Th., 76 vjeçe, banuese në Sarandë, se ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin L. Th., 52 vjeç, banues në Sarandë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë për të dyja rastet kanë referuar materialet në Prokurorinë e Sarandës dhe kanë bërë shpalljen në kërkim të shtetasve F. S dhe L. Th. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë verifikimet dhe kontrollet në terren, për gjetjen e këtyre shtetasve.”, njofton Policia e Sarandës. /a2