Në episodin e dytë të “I Love Albania”, kryeministri Edi Rama ka pasur të ftuar gazetaren britanike Alice Taylor, e cila jeton në Tiranë prej 5 vitesh. Ndër të tjera, ai e ka falënderuar gazetaren për mbështetjen që i ka dhënë emigrantëve në Angli.

Sakaq, kryeministri e ka pyetur Taylor se çfarë nuk shkon më konkretisht me Britaninë. Ajo nuk ka hezituar të flasë hapur, duke thënë se nuk e bën krenare fakti që është britanike. Gazetarja ka theksuar se i vjen turp nga politikat britanike të emigracionit dhe mënyra si i trajtojnë të huajt.

“Ushqimi i tmerrshëm, moti i tmerrshëm. Qeveria nuk shkon. Retorika e tyre kundër shqiptarëve. Së pari, është e turpshme. Më vjen turp, kur shoh gjërat më të fundit që kanë thënë. Më vjen turp nga politikat e tyre të emigracionit. Më vjen turp nga mënyra si i trajtojnë të huajt. Kjo është gjëja kryesore që më bën të ndjej. Kur dëgjoj shqiptarë që më thonë që fëmijët e tyre janë bullizuar në shkolla në Angli sepse janë shqiptarë apo sepse nënës së tyre u është refuzuar viza për të shkuar për të vizituar vajzën që sapo ka lindur një fëmijë, atëherë kjo është e turpshme. Çfarë e bën këtë vend kaq të madh sa që kanë të drejtë të kthejnë mbrapsht një qenie njerëzore që ka një arsye të vlefshme për të shkuar atje? Kam miq që nuk kanë arritur të marrin viza për të studiuar në universitete atje. Mendoj që është qesharake në momentin kur vendi ka një mungesë të krahut të punës dhe më duket e turpshme. Nuk më bën krenare të jem britanike aspak”, u shpreh Taylor.