Katër persona janë vënë në prangat e policisë së Tiranës pas një operacioni për goditjen e lojërave të fatit të palejuara.

Në pranga janë vënë E. I., 30 vjeç, K. K., 34 vjeç, K. K., 26 vjeç, L. B., 53 vjeç, të katërt banues në Tiranë. Ata janë kapur në një lokal në Tiranë duke vënë baste sportive me celularët e tyre.

Tashmë materialet hetimore në lidhje me këtë operacion i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, një rast i organizimit të lotarive të palejuara, në ambientet e një lokali. Vihen në pranga 4 shtetas.  Sekuestrohen 4 aparate celulare. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar dhe goditur një rast të vënies së basteve sportive, nëpërmjet aparateve celulare dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Game over 4”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. I., 30 vjeç, K. K., 34 vjeç, K. K., 26 vjeç, L. B., 53 vjeç, të katërt banues në Tiranë. Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara nga shërbimet e Policisë, këta shtetas u kapën në flagrancë, në një lokal në rrugën “Robert Shvarc”, duke vënë baste sportive, me celularët e tyre, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia e Tiranës.