Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, Policia e Shkodrës, njoftoi se në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, arriti të kapte dhe të vinte në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit Petrit Vuksani, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Shkodër.

I arrestuari është 34-vjeçari Lek Vuksani, kushëri i viktimës, gjithashtu banues në Shkodër. Gjithashtu policia tha se gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.

Çfarë ndodhi një ditë më parë

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Tom Kola”, ku brenda banesës së tij është gjetur i vrarë me armë zjarri 51-vjeçari, Petrit Vuksani. Ky i fundit kishte vetëm një muaj që ishte kthyer në vendlindje, pasi ishte emigrant në Angli. Policia u lajmërua nga qytetarët e zonës, të cilët dëgjuan breshëri automatiku dhe kanë raportuar se kishin parë një person që kishte dalë nga banesa me nxitim pas krismave.

Pasi shkoi në vendngjarje, policia ka arritur që brenda pak minutash të identifikojë autorin e dyshuar të këtij krimi i cili mendohet që është kushëri më viktimën dhe sipas informacioneve policore, ai jetonte me qira në banesën e viktimës.

Ky i fundit, sipas të dhënave paraprake mendohet se ka shkuar për t’i kërkuar lekët e qirasë Lek Vuksanit dhe atje mund të kenë konsumuar ndonjë debat si pasojë e të cilit Lek Vuksani e ka qëlluar me automatik Petrit Vuksanin duke e lënë të vdekur.