30 mijë gjimnazistë po përgatiten për provimet e Maturës. Ministria e Arsimit po përmbyll planin që synon shmangien e fiktivitetit të notave dhe daljen e tezes para hyrjes së maturantëve në provime.

Këtë vit ato do të zhvillohen vetëm në ambiente të mëdha, kryesisht në palestra shkollash, të monitoruara nga kamera, por edhe me numër të shtuar mësuesish. Burime për A2 bëjnë të ditur se në shkollat e Kukësit, të Krujës dhe të  Peqinit, ku fiktiviteti i notave ka rezultuar më i larti në rang vendi, do të ketë masa më të shtuara.

Drejtues të arsimit po planifikojnë që administratoret e provimit në këto zona të jenë nga qytete të tjera dhe në numër më të lartë. Këtë vit ministria e arsimit u ka dhënë mundësi maturantëve të rivlerësojnë testin në rast kontestimi të rezultatit.

Për herë të parë nxënësit më aftësi ndryshe tezat e provimit do t’i kenë sipas nivelit të tyre. Provimet e maturës nisin më 1 qershor dhe mbyllen më 19 qershor.

Për ata të rinj që duan të ndjekin mjekësinë e përgjithshme, pas maturës, do të duhet t’i nënshtrohen edhe konkursit elektronik që në muajin korrik.