Ekzekutivi i Bashkimit Europian planifikon që të harmonizojë ligjet kundër korrupsionit në të gjithë bllokun. Iniciativa ka si synim që të luftojë fenomene si ryshfeti, shpërdorimi i detyrës dhe pasurimi i paligjshëm.

Sipas direktivave të draftit të propozuar, akuza si shpërdorimi i fondeve, ndikimi në tregti, shpërdorimi i detyrës, pasurimi i paligjshëm dhe pengimi i drejtësisë në rastet e korrupsionit do të trajtohen si vepra penale në mënyrë të harmonizuar në të gjithë Unionin.

Marrja e ryshfetit është aktualisht vepra e vetme e korrupsionit e kriminalizuar në nivel të BE-së. Drafti parashikon që të vendosen përkufizime të përbashkëta për raste të korrupsionit në mënyrë që të bëhet më i lehtë bashkëpunimi me policisë në rastet ndërkufitare.

Ky është hap që shihet si vendimtar në trajtimin e krimit të organizuar, pasi shumica e bandave të mëdha kriminale janë aktive në tre ose më shumë vende.

Jo të gjitha vendet anëtare të BE-së i kriminalizojnë të gjitha format e sjelljes korruptive, pasurimi i paligjshëm është një vepër penale në vetëm tetë vende, një boshllëk që bën që shumë vende të bllokut të mos i përmbushin standardet e përcaktuara nga OKB-ja, sipas zyrtarëve të BE-së.

Ndëshkimet për këto vepra penale variojnë nga shteti në shtet. Për shembull, dënimi për ryshfet në sektorin publik varion nga 3 muaj në 15 vite. Kurse vjedhja ose përvetësimi në sektorin privat mund të dënohet me 3 muaj deri në 20 vite burg.

Ligji pritet po ashtu që të kërkojë të harmonizojë statutet e kufizimeve, pasi afatet e shkurtra për ndjekjen penale të të dyshuarve për korrupsion mund të pengojnë hetimet ndërkufitare për rastet më të komplikuara.