Nxënësit e një shkolle në Farkë, Tiranë kanë përjetuar një moment frike. Kjo pasi një 20-vjeçar ka qëlluar me një pistoletë imituese të zhurmës së armëve në oborrin e shkollës. Bëhet fjalë për të riun me inicialet F. Sh., 20 vjeç.

Referuar njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, e ndërsa mësohet se ndaj tij ka nisur procedimi penal.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin F. Sh., 20 vjeç, sepse më datë 04.05.2023, në oborrin e një shkolle, në Farkë, Tiranë, ka qëlluar në ajër, me një pistoletë imituese të zhurmës së armëve. Pistoleta imituese u sekuestrua në cilësinë e provës material”, njofton policia.

Frika është shtuar për shkak të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Serbi, një ditë më parë, ku një student ka ekzekutuar për vdekje tetë shokë të shkollës dhe një roje sigurie.