Migrimi dhe emigrimi si brenda ashtu edhe jashtë vendit shikohen si shkaqet kryesore të mungesës së krahut të punës në pikat turistike në juglindje të vendit.

Operatorët e ndryshëm të shërbimit në zonat turistike të qarkut të Korçës, si në Boboshticë, Dardhë dhe Voskopojë tashmë po vuajnë mungesën e krahut të punës, si atë profesionist ashtu edhe atë të ndihmësit.

Përballë kësaj situate administratorët kanë nisur të joshin punonjësit me rritjen e pagave ditore si e vetmja mundësi për të siguruar shërbimin në njësitë e tyre.

Tashmë që shpopullimi i vendit është fakt, duket se edhe përpjekjet e biznesit për të rritur pagat dhe siguruar punonjës janë të vonuara dhe nuk po rezultojnë efikase.