Taulant Balla nuk ka dhënë detaje para gazetarëve pas “vizitës” së tij të radhës në SPAK. I pyetur nga gazetarët, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste tha se në Prokurorinë e Posaçme u thirr si person që ka dijeni për hetimet, ndërsa shtoi se u ka dhënë fjalën hetuesve të BKH-së që çështjet mbeten pjesë e sekretit hetimor.

Ndërsa, i pyetur për arrestimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, Balla tha se qëndrimi i tij është i njëjtë me atë të kreut të qeverisë Edi Rama.

“Kryeministri ka qenë shumë i qartë. Unë sot dua që t’i kërkoj drejtësisë së re, që edhe këto çështje për të cilat unë vij shpesh këtu, një ditë të mbyllen,” deklaroi Balla.

Balla, i cili u paraqit sot në SPAK për të dëshmuar mbi çështjen e ndërtimeve në ish-territorin e klubit “Partizani”, bëri po ashtu të ditur se ditën e nesërme do të jetë sërish prezent në Prokurori për padinë ndaj Sali Berishës.