Donald Trump mendon se është i vetmi që mund të shmangë Luftën e Tretë Botërore. Këtë  e deklaroi para mbështetësve të tij republikanë në Georgia me zotimin se pasi të zgjidhet president, para se të hyjë në Shtëpinë e Bardhe do t’i japë fund luftës në Ukrainë. Deklarata vjen pas konferencës së presidentit rus Vladimir Putin se ushtria e tij mposhti ofensivën e Kievit dhe po marshon përpara me planin fillestar. Shpërthime u raportuan në Kherson dhe rrethinat ndërsa koha për paqen duket ende e largët.

Madje Kremlini rrëzon edhe mundësinë e bisedimeve për paqen. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas të cilit Moska nuk sheh as themele “të brishta” mbi të cilat mund të ndërtohet dialogu.

Sipas Kremlinit, mungesa e hapjes së Kievit ndaj negociatave vjen nga një kombinim i tre faktorëve, duke përfshirë hezitimin, mospërgatitjen dhe mungesën e lejes së Ukrainës për të hyrë në dialog “nga ata që i cileson sponsorët e saj perëndimorë”.

Kësaj të fundit Donald Trump kërkon t’i japë një pikë kthese me një tjetër politikë të jashtme të Amerikës nën presidencën e tij të re.