Anglishtja duket se është pika më e fortë edhe për maturantët e këtij viti. Këtë e tregojnë rezultatet e provimit të parë të maturës shtetërore.

Pas korrigjimit të testeve rezultoi se kalueshmëria në lëndën e anglishtes është 96%. Afro 380 maturantë kanë marrë pikët maksimale të testit, ndërsa më notën 10 e kanë arritur 24% e maturantëve.

1 mijë maturantë nuk kanë mundur të kalojnë në provimin e Anglishtes, të cilin do të duhet ta rijapin në vjeshte.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka vlerësuar rezultatet e larta të maturanteve në provimin e detyruar të anglishtes, ndërsa ka kërkuar nga nxënësit dhe mësuesit respektimin e rregullave për dy provimet e mbetura.

Ndërkohë, grupet e mësuesve vlerësues kanë nisur punën për korrigjimin e testeve të gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Ky konsiderohet një nga provimet më të vështira për maturantët krahas atij të matematikës, i cili do të zhvillohet më 13 qershor. Ndërsa më 19 qershor është provimi i fundit i maturës shtetërore, ai i lëndës më zgjedhje.

Këtë vit, maturantët që kanë kontestime për notat e provimeve mund të kërkojnë rivlerësim. Nota përfundimtare e provimit do të jetë ajo që ka dalë nga procesi i rikorrigjimit.