Një muzikant amerikan, i cili jeton në Rusi për më shumë se 10 vjet, është arrestuar nën akuzën e trafikut të drogës. Sipas aktakuzës, Michael Travis Leake, një ish-parashutist i Forcave Ajrore të SHBA-së, filloi të merret me mephedrone, efektet e të cilit janë të ngjashme me ato të kokainës dhe MDMA, rreth tre vjet më parë.

“Ish-parashutisti dhe muzikanti akuzohet se është përfshirë në biznesin e narkotikëve përmes tërheqjes së të rinjve”, thuhet në deklaratë.

Ai ishte paraqitur në Gjykatën e Qarkut Khamovniki të Moskës më 10 qershor dhe do të qëndrojë në paraburgim deri më 6 gusht 2023, ndërsa rrezikon deri në 20 vjet burg.

Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se ishte në dijeni të raporteve për ndalimin e një shtetasi amerikan, por nuk pranoi të komentonte më tej, për shkak të privatësisë.

“Ne jemi në dijeni të raporteve për arrestimin e fundit të një shtetasi amerikan në Moskë. Kur një shtetas amerikan ndalohet jashtë shtetit, departamenti ndjek aksesin konsullor sa më shpejt të jetë e mundur dhe punon për të ofruar të gjithë ndihmën e duhur konsullore”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Video e arrestimit të Leake nga shtëpia e tij dhe një fotografi nga një stacion policor rus u publikuan në mediat ruse më 8 qershor.

Ren TV raportoi deklaratat e Leake në polici në të cilat ai thuhet se tha: “Nuk e kuptoj pse jam këtu. Nuk e pranoj fajin, nuk besoj se mund të kisha bërë atë për të cilën akuzohem sepse nuk e di se për çfarë më akuzojnë”.