Ministria e Mbrojtjes në Rusi bën me dije se ka nënshkruar një kontratë me grupin Akhmat të forcave speciale çeçene, një ditë pasi shefi i mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin refuzoi ta bënte këtë.

Sipas kësaj kontrate, që të gjitha njësitë vullnetare duhet të nënshkruajnë marrëveshjen deri më 1 korrik, e cila i çon ato nën kontrollin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, një tentativë kjo e Moskës për të ushtruar kontrollin e saj mbi ushtritë private që luftojnë në Ukrainë.

Në këmbim, luftëtarët vullnetarë do të marrin të njëjtat përfitime dhe mbrojtje si trupat e rregullta, duke përfshirë mbështetje për ta dhe familjet e tyre nëse plagosen ose vriten.

Prigozhin, i cili ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me Ministrinë e Mbrojtjes, refuzoi të nënshkruante një kontratë të tillë. Ai tha se Shoigu nuk mund të menaxhojë siç duhet formacionet ushtarake.

Ndryshe nga Prigozhin, Kadyrov është përmbajtur nga kritikat ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Anëtarët e dy grupeve janë përplasur hapur me liderin çeçen që e krahasoi kreun e Wagner me një bloger që bërtet gjatë gjithë kohës për problemet.

Komandanti i Akhmat, Apty Alaudinov, i cili mori pjesë në nënshkrimin e kontratës, tha se njësia ka përgatitur dhe dërguar dhjetëra mijëra vullnetarë në Ukrainë në 15 muajt e fundit.