Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me komisariatin e Librazhdit, finalizoi me sukses një operacion, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Në kuadër të operacionit “Çereshta”, u sekuestruan dhe asgjësuan me djegie 580 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, që ishin gati për t’u kultivuar.

Bimët narkotike u gjetën në kubikë, në një tokë të hapur rishtazi, në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Koshorishtë.

Policia bën me dije se ka identifikuar 2 persona si autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike dhe i ka shpallur ata në kërkim, ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari.