Një pilot veteran i kompanisë ajrore Delta u arrestua pasi ishte në gjendje të dehur teksa përgatitej të ngrinte në fluturim një avion me pasagjerë që nisej nga Edinburghu me destinacion Nju Jorkun.

Piloti 61-vjeçar u ndalua në momentin e fundit teksa pasagjerët ndodheshin në bord, ndërsa fluturimi DL209 u anulua për në një orar tjetër.

Tashmë piloti është vënë nën akuzë në bazë të aktit të sigurisë së transportit të pasagjerëve, i cili ndalon përdorimin e alkoolit nga punonjësit.

Pas analizave të kryera rezultoi se në gjakun e pilotit kishte dy herë më shumë alkool nga niveli i lejuar nga autoritetet.

Kompania doli me një deklaratë për këtë incident dhe iu kërkoi falje pasagjerëve për këtë shqetësim që iu shkaktoi.