Alain Giresse është shkarkuar nga posti i trajnerit të përfaqësueses së Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës, përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin që me marrëveshje të dyanshme me përzgjedhësin, Alain Giresse është vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit. Deri te ky vendim, vjen pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë (1:2)”, thuhet në njoftim.

Federata e Futbollit e Kosovës e ka falënderuar trajnerin Giresse për angazhimin dhe punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të Kombëtares së Kosovës.

Gjatë kualifikueseve për Euro 2024, përfaqësuesja e Kosovës mblodhi vetëm 2 pikë në 4 ndeshjet e para, duke e bërë praktikisht të pamundur realizimin e ëndrrës për pjesëmarrjen në turneun që zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.