Penalltia e Interit ishte episodi më i debatueshëm i javës së 27-të në kampionatin italian. Polemikat në opinion dhe në media përtej Adriatikut janë aq të mëdha, sa është e paevitueshme të mos bëhet klasifikimi me vendimet e gabuara të arbitrave.

Sipas mediave italiane, pa favorizime, Interi duhej të kishte 65 pikë, nga 72 pikët që ka aktualisht në renditje. Efektivisht zikaltërit kanë përfituar 7 pikë nga arbitrat.

Në total janë 7 vendime të gabuara në favor të ekipit të Inzagit dhe asnjë episod kundër. Juventusi duhej të kishte një pikë më tepër në renditje, pas dy episodeve në favor dhe tre episodeve kundër.

Me tre episode në favor, Milani nuk ka përfituar asnjë pikë, teksa Bologna që plotëson zonën Champions duhet të kishte 2 pikë më tepër. Roma dhe Atalanta nuk janë penalizuar, teksa Napolit i janë hequr 2 pikë.