Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për CNN është shprehur se kundërofensiva ndaj Rusisë ka hasur vështirësi, për shkak të vonesës në dërgimin e armëve.

“Dorëzimi me vonesë i armëve në Ukrainë ka ngadalësuar kundërsulmin e Kievit, duke i lejuar Rusisë të forcojë mbrojtjen e saj në zonat e pushtuara”, tha presidenti Volodymyr Zelensky, në një intervistë për CNN. “Kisha shpresuar se kundërsulmi mund të fillonte shumë më herët se në qershor dhe tani është ngadalësuar për shkak të vështirësive në terren. I gjithë territori është minuar rëndë”, shtoi ai.

Ndërkohë, në një lajm të fundit, shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një rebelim të armatosur në Rusi muajin e kaluar, është në Rusi dhe jo në Bjellorusi. Konfirmimi u bë nga lideri i Bjellorusisë Alexander Lukashenko. Vendndodhja e Prigozhin ka qenë një mister që kur ai u pa në Rusi gjatë rebelimit. Sipas një marrëveshjeje për t’i dhënë fund përplasjes, akuzat kundër Prigozhin u hoqën dhe ai dhe luftëtarët e tij u lejuan të lëviznin në Bjellorusi.

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ndihmoi ndërmjetësimin e marrëveshjes.

Pak më shumë se një javë më parë, Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë që nga viti 1994 dhe mendohet gjerësisht se ka manipuluar zgjedhjet e 2020 për të ruajtur pushtetin, tha se Prigozhin kishte mbërritur në Bjellorusi.