Konferenca e Kryetarëve, në mbledhjen e së enjtes, ka shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike për të futur në rend të ditës raportin e opozitës që lejon arrestimin e ish-zëvendësministrit dhe ish-ministrit Arben Ahmetaj nga SPAK-u.

Në këtë mbledhje, është vendosur që seanca e posaçme për të shqyrtuar këtë kërkesë të mbahet ditën e premte në orën 10:00.

Një ditë më parë në Këshillin e Mandateve, edhe mazhoranca votoi pro për t’i rekomanduar Parlamentit që t’i hapë rrugë arrestimit dhe kontrollit të banesës së deputetit të Partisë Socialiste.

Në kushtet që socialistët janë në kërkim të një kryetari për të drejtuar grupin parlamentar, i pari që mazhoranca zgjodhi të nxjerrë publikisht për të mbajtur qëndrim për kolegun e tyre ishte Arben Pëllumbi: “Ne kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt”.

Por, për këtë përfundim nuk ishin dakord dy avokatët e deputetit socialist Arben Ahmetaj, të cilët e cilësuan një “show” të drejtësisë dhe të politikës për të dëmtuar klientin e tyre: “Nuk kishte prova për të lejuar kontrollin e banesës dhe përdhosjes së figurës”.

Ndërsa procedurat e drejtësisë dhe ato parlamentare shkojnë në harmoni për këtë rast, vendndodhja e ish-zv/kryeministrit ende nuk dihet. Avokatët thanë: “Ka arsye personale, kemi folur me të para 5 minutash”.