Kompanitë shqiptare shitën 8 miliardë lekë më pak mallra në tregjet e huaja muajin shkuar, përkthyer me kursin e sotëm në mbi 78 milionë euro më pak.

Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me qershorin e një viti më parë, vlera e eksporteve të mallrave shqiptare është rrudhur me 17.3 për qind, si pasojë edhe zhvlerësimit të euros.

Rënia më e fortë është shënuar tek eksportet e materialeve të ndërtimit apo metalet, ndjekur nga nafta e papërpunuar dhe prodhimet e drurit dhe letrës. Ndërkohë dalja e prodhimit vendas ka ndihmuar tek eksportet e ushqimeve, ndërsa rritje minimale kanë shënuar shitjet nga industria tekstile.  

“Kursi i këmbimit është njëra arsye. Ekonomia shqiptare është e bazuar te prodhimi dhe nga emigracioni forca e punës është bërë e pamjaftueshme. Gjithashtu lënda e parë e shtrenjtë ka ndikuar në performancën e dobët të eksporteve të mallrave shqiptare,” pedagogu i ekonomisë Edision Zaçaj.

Muajin e shkuar regjistroi ulje edhe importi i mallrave. të dhënat e INSTAT tregojnë se vlera e mallrave të blerë nga jashtë muajin e shkuar ra në 75 miliardë lekë nga mbi 81 miliardë në qershorin e një viti më parë.

 “Jemi në periudhë inflacioniste. Njerëzit janë përqendruar vetëm te shporta bazë. Dalja e prodhimit vendas duket se ka pasur ndikimin e vet te rënia e importeve.”

Tkurrja për të katërtin muaj me radhë e eksporteve shoqëruar edhe me rënia të importeve që Shqipëria të mbyllë bilancin tregtar, pra raportin mes eksporteve dhe importeve muajin e shkuar në një vlerë negative prej gati 37.miliardë lekësh apo rreth 350 milionë euro.