Një aksident i frikshëm ka ndodhur, mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor Devoll-Korçë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat anësore, e për pasojë ka mbetur i plagosur një person.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Çiflig te kryqëzimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura. Një 21-vjeçar nga fshati Biranj ka qenë duke udhëtuar i vetëm me mjetin “Ford” nga Devolli në drejtim të Korçës kur është përplasur me barrierat mbrojtëse duke sjellë edhe aksidentin që ka përfunduar me plagosjen e rëndë të drejtuesit të mjetit.

Sipas ekspertëve të policisë rrugore, 21-vjeçari ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me barrierat metalike duke shkaktuar një aksident të frikshëm edhe për vetë ekspertët. Përplasja ka qenë aq e fortë sa mjeti është shkatërruar plotësisht aq sa pjesët motorike dhe jo vetëm kanë fluturuar në anën tjetër të rrugës.

21-vjeçari ndodhet në spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve. Shkak i humbjes së kontrollit të mjetit sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor mendohet të jetë shpejtësia tej normave të lejuara, përdorimi i telefonit ose përgjumja.

Ky segment rrugor ka pasur disa aksidente të ngjashme edhe në kushte kur nuk mungon sinjalistika vertikale dhe horizontale.

“Korçë/Informacion paraprak: Më datë 25.07.2023, rreth orës 09:10, në aksin rrugor “Korçë-Devoll”, pranë fshatit Çiflig, Korçë, shtetasi O. P., duke drejtuar një automjet tip “Ford”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i automjetit, i cili u transportua për mjekim në spitalin e Korçës. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.”

Njoftimi i policisë së Korçës