Kutitë e zeza, që mund të hedhin dritë mbi vdekjen e Yevgeny Prigozhin, janë gjetur. Kështu njoftojnë autoritet në Rusi, bashkë me konfirmimin për 10 trupa të pajetë nga avioni ku supozohet se udhëtonin drejtuesit e grupit famëkeq Wagner.

Tani po kryhen teste molekularo-gjenetike”, thonë hetuesit.

Avioni u rrëzua afër Moskës të mërkurën, duke nxitur spekulime se faji ishte i një bombe ose një rakete të lëshuar nga toka. Pretendimet se Kremlini dha një urdhër për të vrarë Prigozhin janë një “gënjeshtër e plotë”, tha më herët për BBC zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin.

Prigozhin – dikur besnik i Putinit – udhëhoqi një revoltë të armatosur të ndërprerë nga luftëtarët e tij mercenarë në qershor. Putin në atë kohë e përshkroi kryengritjen si “tradhti”, por më vonë u arrit një marrëveshje që mercenarët e Wagner ose të bashkoheshin me ushtrinë e rregullt të Rusisë ose të shkonin në Bjellorusi.

Megjithatë, në vazhdën e rebelimit, shumë vëzhgues e përshkruan Prigozhin, si një “njeri të vdekur që ecën”, duke argumentuar se presidenti rus nuk do ta falte kurrë thikën pas shpine të bosit të Wagner.

E telefonova kur po negocionin gjatë marshimit të tij për në Moskë. Nuk ishim të afërt, por e njoha atë mirë dhe ai mua. Kur po flisnim, unë i thashë atij: ‘Zhenja, ose do i vrasësh njerëzit, ose do vdesësh për vete’Në gjaknxehtësi, ai mu përgjigj: ‘Në djall kjo punë, le të vdes’. Në rregull i thashë, po të dërgoj një litar dhe një sapun. ‘Jo, jo’ mu përgjigj duke më thënë se dëshiron një vdekje si hero.

Alexander Lukashenko – President i Bjellorusisë

Ish-miku i Prigozhin, Vladimir Putin, qëndroi në heshtje për mbi 24 orë, përpara se të shprehte ngushëllimet e tij, por me qortimin se kreu i Wagner bëri gabime të rënda kohëve të fundit.

Aktualisht ka shumë paqartësi për fatin e grupit mercenarë, ndërsa shumë analistë besojnë se Wagner i ka orët e numëruara përpara shkrirjes totale. Sërish ka ndërhyrë Kremlini duke kërkuar besnikëri nga luftëtarët.

Nuk dihet ende se kush e ka aktualisht drejtimin e grupit, apo nëse do të vendoset një lider me përcaktim nga Putin.