Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi bëri me dije se zgjedhjet e së dielës në Bashkinë e Kukësit do të kushtojnë 25.5 milionë lekë. Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se ky shpenzim nuk do të dalë nga buxheti i shtetit, por janë fonde të mbetura nga zgjedhjet e 14 majit.

“Do të kushtojnë 25 mln 457 mijë 496 lekë që në fakt nuk janë para të kërkuara shtesë në buxhetin e KQZ, por në një menaxhim dhe riorganizim të buxhetit që kemi bërë, pamë që nuk ishte e nevojshme për të kërkuar buxhet shtesë pasi ka kursime nga KQZ-ja që e mundësojnë këtë proces zgjedhor”, tha Celibashi.  

Celibashi ka sqaruar edhe arsyet se përse nuk u zgjodh votimi elektronik.

“E para koha nuk ishte e përshtatshëm për ta përgatitur procesin, nga pikëpamja e arsyetimit, mendoj që kemi eksperimentuar mjaftueshëm deri tani në një lloj mënyrë në lidhje me votimin elektronik, dhe në këtë moment zgjerimi s’do kishte shumë sens, pasi tej faktit që s’kishim kohë, s’do siguronte ndonjë avantazh”, tha ai.

Sipas kreut të KQZ-së, do të jenë 74 qendra votimi dhe një prej tyre do të jenë në institucionin e paraburgimit.