Gjykata i ka caktuar ditën e sotme si avokat mbrojtës Sali Berishës, Artan Simonin, mirëpo për këtë nuk është dakord i biri i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

Duke publikuar një foto nga statuset që avokati ka bërë kundër babait të tij, Shkëlzen Berisha nuk ka nguruar që të bëjë ironi. Sipas tij, ky është një avokat i njëanshëm, madje tha se “më mirë do ishte që të caktonin si avokat mbrojtës Taulant Ballën”.

“Ky është “avokati” që gjykatësja që shkeli kushtetutën ka caktuar për të mbrojtur Sali Berishën! Do i kisha sugjeruar më mirë Taulant Ballën se njeh dhe dosjen”, shkruan Shkëlzen Berisha.

Sipas Shkëlzen Berishës, ky postim i referohet babait të tij.

“Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin. Ku gaboi bisha”, shkruante 2 ditë më parë avokati Artan Simoni.

Simoni u caktua si mbrojtës i Berishës për shkak se 2 avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, u larguan nga seanca pas mos plotësimit të kërkesës së tyre për përjashtimin nga procesi të gjyqtares, Irena Gjoka.