Shqipëria po rregullon imazhin e saj në sytë e investitorëve të huaj. Në anketën e këtij viti të zhvilluar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj, vlerësimi për klimën e të bërit biznes në vend u përmirësua me 6 pikë në raport me një vit më parë.

Megjithatë, treguesi prej 46 pikësh, nga 100 të mundshme mbeti sërish poshtë mesatares.

“Në këtë drejtim, po punohet gjithashtu për hartimin e një kuadri të ri ligjor për një ligj të unifikuar të investimeve, i cili synon ta bëjë Shqipërinë akoma edhe më tërheqëse për investitorët e huaj, duke stimuluar investimet në përgjithësi dhe investimet në sektorë prioritarë.”

Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë

Investitorët e huaj u shprehën optimistë gjithashtu për situatën ekonomike duke e vlerësuar atë me 52 pikë nga 100 të mundshme. Në raport me një vit më parë, treguesi u përmirësua me 8 pikë.

Megjithatë, përfaqësuesit e kompanive të huaja u shprehën shumë të shqetësuar në drejtim të gjetjes së fuqisë punëtore të kualifikuar. Treguesi u përkeqësua me 7 pikë në raport me një vit më parë.

“Kjo nevojë dhe qasje u evidentua edhe me nënshkrimin nga ana e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor të Marrëveshjes Rajonale për Njohjen e Ndërsjellët të Kualifikimit Profesional, falë së cilës do të lehtësohet edhe më tej lëvizja e profesionistëve, duke siguruar shfrytëzim më të madh të potencialit të burimeve njerëzore në vendet e rajonit.”

Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë

Pavarësisht përmirësimit të disa treguesve, sipas Shoqatës së Investitorëve të Huaj, klima e të bërit biznes vijon të jetë problematike për shkak të sistemit gjyqësor, mungesës së transparencës nga qeveria, pamundësia për forcë punëtore, legjislacioni fiskal dhe administrata tatimore.