Vendi ynë sot dhe gjatë dy ditëve të ardhshme do të përfshihet nga reshje me intensitet të lartë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bëri apel sot të gjithë bashkive të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.

Sipas parashikimit nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave “IGJEO”, ditën e sotme, moti është me reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata.

Ditën e shtunë, 4 nëntor, priten reshje intensive në qarqet Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata. Intesiteti i reshjeve pritet të jetë më i lartë në pjesën e parë të ditës.

Të dielën, 5 nëntor, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare shtrëngata.

Ndërsa ditën e hënë, 6 nëntor, pritet një pakësim i reshjeve, ato priten të jenë të dobëta në të gjitha qarqet. Të martën, 7 nëntor priten reshje të dobëta në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës reshjet pritet të arrijnë lokalisht deri mesatare.

Duke iu drejtuar qytetarëve Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile tha se “siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale”.