Paqja në rajonin e Ballkanit po rrezikohet. Në këtë përfundim ka dalë Këshilli i Europës që publikoi një raport lidhur me dështimin e ballafaqimin me krimet e luftës të kryera gjatë viteve ’90, në vendet e ish Jugosllavisë.

“Dështimi për t’u përballur plotësisht me të kaluarën e dhunshme po sjell pasoja shkatërruese në respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe kohezionit social në vendet e ish-Jugosllavisë”, thekson komisionerja për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç.

Zyrtarja shton më tej se ka ardhur koha për të sjellë drejtësi efektive, dëmshpërblime dhe të vërteta për viktimat.

Këshilli i Europës thekson në raport se pajtimi mbetet i paarritshëm mes vendeve, edhe pse kanë kaluar thuajse tri dekada nga përfundimi i luftërave për shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

 “Ka një prirje alarmante drejt diskursit etno-nacionalist, mohimit të krimeve dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, çka dobëson përpjekjet për t’u përballur me të shkuarën”, theksohet më tej.

Gjithashtu bëhet thirrje për kriminalizimin e mohimit të gjenocidit dhe krimeve të luftës, si një formë e rëndë e gjuhës së urrejtjes.