Gjykata Kushtetuese ka refuzuar një ankim të bërë nga Mimoza Bruzia, e fajësuar nga drejtësia për vjedhjen e 713 milionë lekëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë, në vitet 2010-2014.

Në Gjykatën Kushtetuese, Bruzia kërkonte shfuqizimin e vendimeve të dhëna ndaj saj në Gjykatën e Tiranës, në Apel dhe në Gjykatën e Lartë, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës në gjykimin ndaj saj. Në të tre këto gjykata, ish-punonjësja e Bankës së Shqipërisë pretendoi pafajësi, por pa mundur ta provonte atë.

Ankimi i Bruzias u shqyrtua në Dhomë Këshillimi, ku u vendos rrëzimi i kërkesës. Bruzia ngriti pretendimet për shkelje të Kushtetutës edhe gjatë gjykimit në Apel dhe në Gjykatën e Lartë, gjykata që lanë në fuqi dënimin e saj me 10 vite burg për vjedhjen në thesarin e Bankës së Shqipërisë.

Sipas gjykatave, Bruzia kishte ndihmuar në vjedhjen e parave kolegun e saj, Ardian Bitraj, i cili është dënuar me 13 vjet e 4 muaj burg nga drejtësia. Hetimi gjyqësor provoi se ajo i kishte krijuar kushte Bitrajt, duke e lejuar të futej në ambientet ku ndodheshin sasitë e parave, ku sipas rregullores nuk duhet të shkonte i vetëm. Vetë Bruzia gjatë gjykimit ka pretenduar se nuk e ka parë në asnjë rast të Bitrajn të merrte para dhe as t’i ketë krijuar atij mundësi veprimi.

Për të njëjtën ngjarje u gjykuan për “shpërdorim detyre” edhe disa zyrtarë të tjerë të Bankës së Shqipërisë, si edhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili mori pafajësi.