Pavarësisht se bumi i ndërtimeve në vitet e fundit në Shqipëri është i lartë, ende një pjesë e madhe e familjeve jetojnë në banesat e ndërtuara gjatë periudhës së komunizmit. Në raportin e Tranzicionit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim cilësohet se 40% e tyre vijojnë të qëndrojnë në banesat e viteve 1953-1989.

Pavarësisht kushteve që një ndërtim i tillë ka, qytetarët të cilët jetojnë në to rendisin, vlerën që mbart.

 “Si pallate janë mirë po na duhet një ashensor. Unë jetoj në një pallat të vjetër të kohës më para.”

“E mira është që për këto pallate të bëhen të reja ndikon në zhvillimin e territorit.”

“Po jetoj në një banesë të tillë, nëse do bëhen projekte të reja do e lejoja të kalojë në një ndërtesë të re”, tregojnë qytetarët.

Ekspertët e tregut të pronave thonë se është vendndodhja që e detyron një person të qëndrojë në një ndërtesë të tillë pavarësisht kostove të mirëmbajtjes së saj. Por edhe për këto ndërtesa do të ketë projekte në vijim sipas tyre.

 “Nga informacionet që kemi një pjesë e objekteve ekzistuese që ndodhen në top lokacionet do zhvillohen projekte të reja. Rindërtimi i tyre me një leje të veçantë e bën më me vlerë dhe ciulësore për kohën”, thotë Erion Alimema, ekspert imobiliarë.

Në raportin e BERZH nga ana tjetër theksohet se Shqipëria është një ndër vendet me ndërtesa të reja më shumë në Evropën Juglindore. Referuar të dhënave të fundit të Instat që nga fillimi i vitit janë miratuar gati 1 mijë e 300 leje ndërtimi. Por problem mbetet sistemi i menaxhimit qendror të ndërtesave duke i lënë vend informalitetit.

“Pjesa e administrimit të pallateve është një plagë e madhe në Tiranë se shqiptarët e kanë problem jetesën e komunitetit për mirëmbajtjen e hapësirës së përbashkët, shkalla, lulishtja etj.”, tha ai.

Rreth 35% e familjeve shqiptare jetojnë në banesat e ndërtuara pas viteve 2000.