Prokuroria e antidopingut ka kërkuar dënimin me katër vjet për Paul Pogba,  i cili doli pozitiv për përdorimin e Dhea, të ashtuquajturës “hormoni i rinisë”, pas ndeshjes kundër Udineses më 20 gusht, në të cilën ai nuk zbriti në fushën e blertë.

Mesfushori 30-vjeçar i Juventusit u pezullua më 12 shtator dhe vendimi i drejtësisë sportive u riafirmua më 6 tetor kur analiza e dytë konfirmoi rezultatin pozitiv në testin antidoping që zbuloi substancën dehidroepiandrosteron.

Ndryshe nga çfarë ishte përfolur javët e fundit, për Pogba nuk ka gjasa që të ketë një marrëveshje për pranimin e fajësisë, sepse mesfushori francez do të shkojë në gjyq përpara Gjykatës Kombëtare Antidoping.

Gjyqi pritet të fillojë pas rreth një muaji e gjysmë. Me marrëveshjen për pranimin e fajësisë nuk do të kishte pasur mundësi apelimi, por në kushtet aktuale Pogba mund të gjejë shpëtim duke futur në lojë edhe CAS-in e Lozanës, duke apeluar aty vendimin.

Rreth njëzet ditë më parë agjentja e tij Rafaela Pimenta tha për mediat se bashkë me lojtarin po përgatiten për të apeluar vendimin.

Ky duket të jetë një fund i shëmtuar për karrierën e ish-kampionit të botës, i cili në thelb e ka pranuar marrëzinë përballë drejtuesve dhe stafit mjekësor të Juventusit.