Qeveria nuk e shfrytëzoi rënien e euros për të shlyer borxhin e jashtëm… përkundrazi e zgjeroi. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se nga më pak se 9.8 miliardë euro në fundin e vitit të shkuar, detyrimet e marra në institucionet financiare ndërkombëtare u rritën në më shumë se 10.1 miliardë euro në fund të shtatorit.

“Është një tregues i cili mund ta shikojmë në dy plane. Borxhi në vetvete është një instrument i mirë për të financuar ato pjesë të ekonomisë që prodhojnë te ne. Problemi është se te ne nuk prodhohet për këto qëllime, por shkon për të paguar gjoba e shlyer detyrime të vjetra”, tha Pano Soko, ekspert për ekonominë.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve, 4.9 miliardë apo gjysma e totalit janë marrë nga qeveria. Pjesa tjetër është në kurriz të bankave tregtare dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë.

 “Ne këtu kemi dy probleme. Keqmenaxhimin nga njëra anë dhe orientimin e gabuar të politikave të marrjes së borxhit nga tjetra. Duket paradoksale pasi nënçmimi i euros do duhej të kishte ndikuar te borxhi publik. Gjithashtu, duhet që qeveria të mosfokusohet vetëm te borxhi i jashtë në euro, por edhe tek ai i brendshëm”, theksoi ai.

Pavarësisht se borxhi i jashtëm zgjerohet, Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregon se vitin e ardhshëm treguesi të zbresë në rreth 60 për qind të Prodhimit të brendshëm Bruto.