“Voyager 1” i NASA-s ka pësuar disa probleme teknike të cilat po bëjnë që ekipi në Tokë të ketë probleme komunikimi me sondën 46-vjeçare.

Inxhinierët e NASA-s janë aktualisht duke tentuar që ta zgjidhin problemin teksa eksploron territorin kozmik të “pashkelur” përgjatë kufijve të jashtëm të sistemit tonë diellor.

Voyager 1 është aktualisht anija kozmike më e largët nga Toka në rreth 24 miliardë kilometra larg, ndërsa “binjaku i tij” Voyager 2 ka udhëtuar më shumë se 20 miliardë kilometra nga planeti ynë.

Të dyja sondat ndodhen në hapësirën ndëryjore dhe janë të vetmet që operojnë ndonjëherë edhe përtej heliosferës, flluskës diellore të fushave magnetike dhe grimcave që shtrihet përtej orbitës së Plutonit.

Të projektuara për të “mbijetuar” vetëm 5 vite, sondat Voyager janë dy anijet kozmike me funksionimin më të gjatë në histori.

Jetëgjatësia e tyre jashtëzakonisht e gjatë do të thotë që të dy anijet kozmike kanë ofruar njohuri shtesë rreth sistemit tonë diellor dhe më gjerë, pasi arritën qëllimet e tyre paraprake për të fluturuar nga Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni dekada më parë.

Por udhëtimet e tyre të gjata të papritura nuk kanë qenë pa sfida.

Voyager 1 ka tre kompjuterë në bord, duke përfshirë një sistem të dhënash fluturimi që mbledh informacion nga instrumentet shkencore të anijes dhe i bashkon ato me të dhëna inxhinierike që pasqyrojnë gjendjen aktuale shëndetësore të Voyager 1. Kontrolli i misionit në Tokë i merr ato të dhëna në kod binar ose një seri të njësheve dhe zerove.

Por sistemi i të dhënave të fluturimit të Voyager 1 tani duket se është ngecur në përsëritjen automatike.