Deti i Kuq dhe sulmet e herëpashershme të rebelëve Houthi në Jemen mbi anijet tregtare që përdorin këtë rrugëkalimi për të transportuar mallrat dhe karburantin nga Lindja drejt Perëndimit, mund të kthehet në problem për konsumatorët europianë këtë dimër.

Fakti që gjigantët e transportit ndërkombëtar të mallrave po shmangin rrugëkalimin e Kanalit të Suezit, do të thotë se ndërprerja e flukseve të zakonshme tregtare do të përkthehet në çmime më të larta të karburantit dhe mallrave, pasi rrugët alternative mund të shtojnë mijëra milje në transportin detar.

Kanali i Suezit është një zonë kyçe për tregtinë globale, veçanërisht për transportin e naftës, grurit dhe mallrave të konsumit nga Azia Lindore.

Perspektiva e udhëtimeve më të gjata për të përfunduar dërgesat po rrit kostot e tranzitit dhe si rezultat rrit çmimet e aksioneve të firmave të transportit.

Ndërprerja ka ndikuar aktualisht në një rritje të çmimeve globale të naftës, me naftën bruto Brent që u rrit me më shumë se 1% të hënën, duke shkuar në 77 dollarë për fuçi.

Një numër i madh kompanish, duke nisur nga AP Moller-Maersk i Danimarkës, Hapag Lloyd i Gjermanisë dhe grupi CMA CGM i Francës dhe kompania më e madhe në botë e transportit me kontejnerë MSC Mediterranean Shipping Co kanë vendosur të ndryshojnë rrugën e tyre të transportit. Pas tyre edhe gjigandi i hidrokarbureve British Petrolium njoftoi sot se do të ndalojë përdorimin e Kanalit të Suezit pas sulmeve të fundit ndaj anijeve nga rebelët Houthi.

Gjigandi i naftës nënvizon se masa është e përkohshme, por e domosdoshme.

Siguria e njerëzve tanë dhe atyre që punojnë në emrin tonë është prioriteti i BP. Në vazhdën e përkeqësimit të situatës së sigurisë për transportin në Detin e Kuq, BP ka vendosur të ndalojë përkohësisht të gjitha tranzitet përmes tij”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Po ashtu, tajvanezët e Evergreen konfirmuan gjithashtu se kanë pezulluar përkohësisht shërbimet e importit dhe eksportit në Izrael deri në njoftimin e mëtejshëm, duke përmendur rrezikun e sigurisë.

Kërkojmë mirëkuptimin tuaj në këto rrethana të rënda”, u tha firma e anijeve transportuese klientëve të saj.

Lundrimi i gjigantëve të transportit përmes kanalit të Suezit nisi ndërprerjet të premten pas sulmeve ndaj anijeve në Detin e Kuq nga militantët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen. Grupi, i cili mbështet Hamasin në luftën e tij me Izraelin, është zotuar të shënjestrojë anijet që beson se po shkojnë drejt porteve izraelite.

Në fillim të këtij muaji, tre anije komerciale u goditën nga raketa balistike dhe një luftanije amerikane rrëzoi tre dronë.