Papa Françesku u ka dhënë pëlqimin e tij priftërinjve katolikë që të bekojnë çiftet e të njëjtit seks. Lajmin e bënë të ditur mediat italiane, dhe nënkupton se ndalimi i vendosur më herët nga komiteti kompetent i Vatikanit, nuk është më në fuqi.

Megjithatë, bëhet e qartë se kjo nuk do të thotë se lejohet martesa fetare e çifteve të të njëjtit seks.

Është hera e parë që Kisha Katolike shprehet qartë për këtë temë, duke iu referuar “një bekimi për shëndetin, ndihmën e ndërsjellë, mbështetjen dhe paqen shpirtërore” të çifteve të të njëjtit seks.

Lëvizja konsiderohet si një hap i madh në përpjekjet e kreut të Kishës Katolike për të mirëpritur besimtarët e komunitetit LGBT +, në mësimet e kishës rreth martesës.

Prej kohësh tashmë, Papa Françesku ka lejuar priftërinjtë të bekojnë një shumëllojshmëri të gjerë njerëzish. Megjithatë, Vatikani kishte kundërshtuar bekimin e çifteve të të njëjtit seks.

Rregulli i ri u prezantua nga prefekti i zyrës kompetente, kardinali Vitor Manuel Fernandez, i cili vuri në dukje se deklarata nuk modifikon “doktrinën tradicionale të kishës mbi martesën”, pasi nuk lejon asnjë ceremoni liturgjike që mund të ngatërrohet me martesë sakramenti.

Deklarata është nënshkruar dhe miratuar nga Papa Françesku.