Gjykata Kushtetuese i lë derë të hapur maxhorancës për të autorizuar arrestimin e Sali Berishës. Padia e bërë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ku mes të tjerash kërkohej edhe pezullimi i arrestimit të Berishës, nuk gjeti mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese.

Trupa e gjyqtarëve arriti në konkluzionin se deputetët nuk legjitimohen për një ankim të tillë në kushtetuese, por këtë të drejtë e ka Kuvendi.

Sipas logjikës së gjyqtarëve, të drejtën për të vënë në lëvizje trupën kushtetuese në këtë rast e ka vetë Kuvendi i Shqipërisë, i cili do të ishte në këtë rast pala në konflikt që mund të ngrinte pretendimin e cënimit të kompetencave.

Kërkuesi, grupi i deputetëve, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë.

Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit. Pas këtij vendimi, asgjë nuk pengon Kuvendin që të autorizojë Prokurorinë e Posaçme, referuar kërkesës për arrestimin e Sali Berishës.