Ministri i Brendshëm Taulant Balla foli për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave duke njoftuar një sërë vendimesh, që lidhen me shpërblimet e fundvitit.

Balla njoftoi se për herë të parë rreth 10 mijë punonjësve të policisë së Shtetit do t’u paguhet ushqimi që konsumojnë gjatë ushtrimit të detyrës dhe jo vetëm dietat për operacionet speciale.

Sipas listës së detyrimeve për vitin 2023, vendimi parashikon pagesën e 118 mijë lekëve të reja për çdo punonjës të policisë.

Së pari dua të informoj të gjithë punonjësit e policisë se qeveria shqiptare sapo ka miratuar vendimin për të shlyer një detyrim prej shumë kohësh ndaj punonjësve të policisë që lidhet me pagesën e ushqimit, përgjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës nga çdo punonjës i policisë. Dhe gjatë gjithë kohës kur bëhet fjalë për angazhimin e tyre në misione, operacione apo në përballimin e situatave të emergjencave civile. Për çdo 22 ditë pune në muaj ose 264 ditë në vit çdo punonjës policie do të marri një pagesë për një vakt ushqimor që shkon në afërisht 118 mijë lekë të reja. Ky është detyrimi për vitin 2023. 9964 punonjës policie do të përfitojnë nga kjo politikë e re.

Më tej, Balla sqaroi se dikasteri që ai drejton po negocion edhe për një tjetër skemë ndihme për punonjësit e policisë. Ajo konsiston në lidhjen e një marrëveshje me një rrjet supermarketesh, në mënyrë që policët të përfitojnë ulje për shportën e ushqimeve bazë.

Përveç pagesës së ushqimit ne po përmbyllim brenda kësaj jave dhe një marrëveshje me rrjetet e supermarketeve dhe dyqaneve që shesin mallrat bazë ushqimore, në mënyrë që punonjësit e policisë së shtetit të kenë përfitime edhe me lehtësimin e çmimeve ku ata do të blejnë me kartën e bankës që do të marrin. Ne do të negociojmë që të ketë një ulje 10-15% për çdo punonjës të policisë me rrjetet e dyqaneve që po negociojmë.

Ndërkohë, shpërblim për fundvit do të përfitojnë edhe forcat e shërbimit zjarrfikës në mbarë vendin.

Tjetër lajm i mirë është mirënjohja që qeveria iu jep të gjithë punonjësve të zjarrfikësve. Kemi miratuar një shpërblim për të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës të angazhuar në një situatë të vështirë që kaluam gjatë kësaj vere me zjarret. Qeveria do t’i transferojë menjëherë të gjithë bashkive të vendit fondin, që është shpërblim me një pagë mujore. Të gjithë zjarrfikësit që i erdhën në ndihmë shtetit dhe popullit grek, shpërblimi do të jetë dy paga mujore.