Nuk ka asnjë shans që mazhoranca të pranojë instrumentet e opozitës sa i takon reformës zgjedhore. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp me gazetarët pas mbledhjes dyditore në Shëngjin. Sipas tij, me mbarimin e afatit të komisionit të reformës zgjedhore, do të vijohet pa të.  

“Nuk ka asnjë shans që kjo të na bëjë ne që të pranojmë keqkuptimin. Të pranojmë që ushtrimi i forcës fizike, përdorimi i krahëve, këmbëve, duarve si instrumente të forta të na imponohet për argumente me të cilat ne nuk jemi dakord. E njëjta gjë edhe për reformën zgjedhore. Ka një afat komisioni dhe do bëjmë edhe pa komision. Komisioni vjen si traditë dhe jo si normë ndërkombëtare. Parlamente të tjera nuk ngrenë komisione parlamentare. I bëjnë reformat zgjedhore me votat që kanë. Aty kur nuk kanë, nuk i bëjnë. Kjo është, dhe këtu ka ndryshuar kohët. Një komision bipartizan me 7 ballistë e një partizan nuk i bëjmë dot, duhet të kesh dy partizanë, nuk i kemi më. Kemi një partizan dhe 7 ballistë. Si ta bëjmë këtë gjë?. Kemi folur për komisionin e reformës zgjedhore dhe kemi dalë në konkluzionin që; do ishte mirë të bëhej, por nëse nuk bëhet nuk është fundi i botës. Mbase ka ardhur dita që edhe tradita e komisioneve bipartizane të mbarojë, duke mbajtur shënim faktin që nuk kemi më dy palë, por shumë”.

Rama theksoi se “nuk jemi të shtrënguar të bëjmë asgjë që i jep goditje të re kulturës së shtetit dhe kulturës demokratike”.

Teksa solli në vëmendje bojkotin e socialistëve në 2009, Rama tha se ky mjet është varrosur pasi i çon të gjithë në greminë.

“Nëse ne do të hapim rrugë për shkak të bojkotit ne do të kemi bojkot non stop. Keni dëgjuar më ju? Pse u varros bojkotit si mjet? Sepse u kuptua që bojkoti përmes të cilit do të çosh të gjithë në buzë të greminës të çon ty në fund të greminës. Keni dëgjuar më ju nga ata që janë në dilema mes mundjes, boksit, e politikës të mos hyjnë në zgjedhje? Se u provua që të mos hysh në zgjedhje e ha vetëm ti. Dhe unë jam dëshmitar protagonist në këtë inerci. Po të kthehesha pas në 2009 nuk do e bëja bojkotin me këto mend që kam sot. Ditën që u tha jo, stop këtu”.

Kryeministri përforcoi qëndrimin ndaj opozitës kur tha se asgjë nga ato që kërkon nuk ka shans t’i marrë, por as të dëgjohet nëse nuk i jep të drejtën tjetrit të flasë.

“Do të bojkotosh, të rrish në çadër, të këndosh himnin, bëje deri kur të të vijë mosha për të shkuar në banesën e fundit. Do të mos futesh në zgjedhje mos u fut deri kur të mërzitet politika. Por nuk detyron dot askënd që të bëjnë atë që bën ti. Do të ndezësh flakadanë, ndizi. Do të shtysh e gjuash gjuaj, por ti asgjë nga ato që kërkon nuk ke shans jo t’i marrësh, por as të dëgjohesh nëse nuk i jep të drejtën tjetrit të flasë”.