Një 37-vjeçar shqiptar është vrarë me thikë nga një bashkatdhetar, në një prej lagjeve të Londrës veriore.

Sipas mediave lokale ngjarja ka ndodhur në Enfield. Goditjet me thikë të 21-vjeçarit Kozma Papa i kanë shkaktuar plagë të rënda, që i morën edhe jetën Bledi Petrajt.

Ambulanca u thirr në Queen Elizabeth’s Drive, N14, në orën 14:04 të së dielës, 4 shkurt. Një 37-vjeçar, i cili quhet Bledi Petraj, është gjetur me plagë me thikë. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht vdiq më vonë të njëjtën ditë.

Papa, me banim në Yate të Bristolit, u arrestua nga oficerët e policisë Metropolitane teksa lëvizte me makinë në Hertfordshire të dielën.

Ai u akuzua për vrasje mëngjesin e kësaj të marte në Gjykatën e Magjistraturës Willesden.

Një 30-vjeçar, i cili gjithashtu u arrestua në kuadër të hetimeve, është lënë i lirë.