Për shumë çifte, 14 shkurti është më shumë se një ditë normale në kalendar. Teksa një pjesë mjaftohen me lule e dhurata apo një darkë në restorant, të tjera çifte zgjedhin t’u largohen syve të të tjerëve.

Këtu alternativat janë më të kufizuara: udhëtim jashtë ose qëndrim në hotele me pishina dimërore apo shtëpi me qira ditore. Në mungesë të turistëve masivë si pasojë e dimrit, këto të fundit janë kthyer në më të pëlqyerat.

“Ndoshta lidhet me faktin që festa e Shën Valentinit është më intime, për sa kohë është festa e të dashuruarve. Me thënë të drejtën, vihet re një rritje e konsiderueshme e prenotimeve të hoteleve dhe apartamenteve me qira ditore,” shprehet Frenkli Prengaj, agjent i tregut imobilar.

Referuar platformës AirBNB ku listohen kryesisht apartamentet me qira ditore, në Lëpushë e Theth apo Rivierën e Jugut me epiqendër Vlorën kapacitetet akomoduese janë zënë thuajse tërësisht. Tirana, Durrësi gjithashtu kanë joshur shumë çifte të reja. 

“Apartamentet me qira ditore kryesisht merren nga ata që jetojnë në rrethe. Po ashtu ka edhe të huaj”.

Për shkak se 14 shkurti këtë vit përkoi me një ditë pune, agjencitë pohojnë se kërkesat për udhëtimeve nuk kanë njohur ndonjë rritje domethënëse.

“Ka një tendencë rritje normalisht, por kryesisht për pushimet në vend. Për udhëtimet jashtë nuk ka thuajse asnjë ndryshim nga ditët normale,” shprehet Ferjolt Ozuni, operator turistik.

Megjithatë, nuk kanë munguar as ata që kanë shfrytëzuar lejet dimërore për t’u arratisur jashtë, qoftë edhe për pak ditë.

“E preferuara e madhe ka qenë Parisi. Kërkesa ka pasur gjithashtu edhe për Barcelonën e Madridin në Spanjë, por edhe Milanon e Romën në Itali. Në listë nuk mungon as Stambolli.”

Teksa për një pjesë të shqiptarëve Shën Valentini është thjesht një ditë e më se e zakonshme, shpesh e shtrenjtë, festa aspak tradicionale, çdo vit e më shumë, veç bizneseve të shitjes së luleve po i jep një hov industrisë së udhëtimeve dhe asaj akomoduese.