Izraeli bombardon furishëm jugun e Gazës, pasi negociatat e paqes dështuan. Të paktën 14 civilë palestinezë raportohen të vrarë në Rafah pranë kufirit me Egjiptin, ku ushtria e Tel Avivit vazhdon ofensivën përkundër presionit amerikan për të ndaluar. Kjo valë sulmesh ngjalli frikë në më shumë se 1 milionë palestinezë të strehuar në skajin lindor të enklavës. Në 24 orët e fundit raportohen mbi 76 persona të vrarë në Gaza, me 11 anëtarë të së njëjtës familje që humbën jetën nga sulmet ajrore izraelite në Rafah.

“Çdo shtëpi e banuar, duhet goditur. Ky është absurditet i plotë. Ku janë njerëzit? Ku është kombi mysliman? Ku janë arabët? Nuk mund të ecim më as rrugëve. Babai dhe nëna ime ishin 75 e 62 vjeç, çfarë kishin bërë ata”, tha Mussa Dhaheer, banor i Palestinës.

Kësaj thirrje të dëshpëruar i është përgjigjur Presidenti i Turiqisë, Erdogan, duke kërkuar që Izraeli të respektojë rezolutën e OKB-së për armëpushim të menjëhershëm. Erdogan e quan Izraelin fëmija i llastuar i Perëndimit. Nga ana tjetër, kryeministri Benjamin Netanyahu i kthen këtë përgjigje.

“Mendova se vendimi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit ishte një veprim shumë, shumë i keq. E keqja e vendimit të SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ishte se ai inkurajoi Hamasin të merrte një qëndrim të ashpër dhe të besonte se presioni ndërkombëtar do ta pengojë Izraelin nga lirimi i pengjeve dhe shkatërrimi i Hamasit. ‘Mos vini bast për këtë presion, nuk do të funksionojë’, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.

Ndërkohë, ushtria izraelite sulmoi edhe Bregun Perëndimor, duke vrarë atje 3 palestinezë dhe plagosur 7 të tjerë. Grupi i armatosur libanez Hezbollah ka dënuar sulmin e Izraelit dhe premtoi se do të hakmerret. Këto zhvillime vijnë pasi Uashingtoni u tërhoq dhe lejoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së të miratonte një rezolutë e cila bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.