Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Serbisë të lirojnë zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i ndaluar të mërkurën në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë. Sipas autoriteteve Jankovic dhe zyrtarë të tjerë policorë, ishin mes më shumë se 1400 shtetasve kosovarë që u ndaluan nga Serbia teksa po kalonin tranzit në këtë vend.

Pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani, ambasadori amerikan në Prishtinë u shpreh shumë i shqetësuar lidhur me zhvillimet e fundit.

“Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim prej disa vitesh, dhe e dimë që ka investuar kohë dhe energji për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre. Për shembull, ai ka luajtur rol edhe në mbikëqyrjen e njësisë që ofron mbrojtje për monumentet e trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe manastiret ortodokse serbe, në një mënyrë të fuqishme, kuptimplote dhe efektive. Ne jemi shumë të shqetësuar dhe shpresojmë që ai të lirohet”.

Sakaq, Bashkimi Europian deklaroi një ditë më parë se me ndalimin e udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë, Serbia kishte shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

Hovenier tha se SHBA-ja pajtohet me vlerësimin e BE-së për këtë çështje, duke shtuar se Uashingtoni, si mbështetësi procesit të dialogut, pret që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel të respektohen dhe zbatohen.

Thirrje për lirimin e Jankoviqit dhe ulje të tensioneve bëri edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke e cilësuar të “papranueshëm” ndalimin e zyrtarit policor