Zëvendës kryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi nga afër përgatitjet e fundit që po bëhen para hapjes për qarkullimin e automjeteve të tunelit të Llogorasë, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.

“Jemi në momentet e fundit të përfundimit të tunelit të Llogarasë. Parashikohet që pasnesër, në datë 5, ditë e premte, në orën 10, do të jetë momenti i hapjes së këtij tuneli. Sigurisht në kantier do të vazhdohet puna, pasi po dorëzohet para afatit, ashtu siç kemi bërë tashmë me të gjitha veprat tona të mëdha infrastrukturore, por tuneli i Llogarasë ka një vlerë tjetër edhe për historikun e infrastrukturës shqiptare. Unë e quaj një gur kilometrik, pasi bëhet fjalë për një tunel i cili është 5.9 kilometra i gjatë, dhe është një nga veprat infrastrukturore të kategorisë së rëndësishme përsa i përket tuneleve edhe në rang Europe. Futet në tunelet e gjatësisë së madhe”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja tha se ndërtimi i kësaj vepre është një tjetër premtim i mbajtur i cili po hapet për lëvizjen e automjeteve para afatit të parashikuar, duke shtuar se janë marrë të gjitha masat për sa i takon mirëmenaxhimit të kësaj vepre.

“Duke pasur parasysh që ky është një tunel totalisht modern nga ana e konstruksionit, por nga ana tjetër duhet të keni parasysh se është një tunel i menaxhuar në mënyrë elektronike, dixhitale. Në hyrje, në anën e Dukatit kemi të vendosur qendrën e monitorimit të këtij tuneli, një qendër totalisht e ngritur mbi dixhitalizimin që në të ardhmen mendojmë që të përdorim dhe inteligjencën artificiale për të menaxhuar të gjithë flukset e tunelit, për të kontrolluar sigurinë rrugore brenda këtij tuneli”, shtoi Balluku.