Sulmuesi i Bayern Munich, Robert Lewandowski, fituesi i fundit i çmimit “The Best FIFA”, në të cilin mundi Leo Messin, fitues i “Topit të Artë” për vitin 2021, dha një intervistë për një revistë polake. Aty dha detaje të së tashmes së tij të mrekullueshme dhe të së kaluarës së fundit.

Polaku deklaroi se nga këndvështrimi i tij, fitimi i trofeut “The Best FIFA” është më i vlefshëm se marrja e “Topit të Artë”, ku doli i dyti në votimin e fundit. Përveç kësaj, ai iu referua faktit që votoi për Leo Messin në gala:

“Kam menduar kohët e fundit dhe kam arritur në përfundimin se çmimi i FIFA-s është më i rëndësishëm. Vetëm gazetarët votojnë për “Topin e Artë”, nuk ka asnjë verifikim të qartë. Në vend të kësaj, profesionistët e futbollit dhe shtypi votojnë për “The Best”.

Kapitenët dhe trajnerët e çdo kombëtareje mund të vlerësojnë paraqitjet tona në mënyrë më realiste objektive, sepse ata e dinë se sa na kushton çdo ndeshje, çdo rekord, çdo dëmtim. Ndoshta në renditjen prestigjioze, “Topi i Artë” pozicionohet më mirë, por njohja që mora duke fituar “The Best” më bën krenar, sepse e di sa shumë kam punuar për mjaft vite”.

Një shpjegim edhe mbi votën e tij për Messin: “Unë votova për të, sepse e vlerësoj atë që bëri këtë vit dhe më parë. Messi tha se do të votonte për mua për “Topin e Artë”, pse ndryshoi këndvështrimi i tij më vonë? Nuk e di. Nuk kam ankesa, mori vendimin e tij. Pyeteni atë pse nuk më votoi mua. Gjithsesi, unë fitova çmimin, kështu që ishte më e lehtë për mua ta votoja atë”.